Sot maturantët do të bëjnë provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj.
Në të gjithë vendin janë 34 mijë maturantë që do të testojnë njohuritë e tyre sot, ndërsa vetëm në Tiranë janë 3800 maturantë, të cilët do të zhvillojnë provimin në 34 pika testimi.
Provimi i anglishtes nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30, ndryshe nga viti i kaluar kur për shkak të pandemisë kohëzgjatja e provimit ishte 2 orë, ndërsa këtë vit do të jetë 2:30 minuta. Një kërkesë kjo e protestës së maturantëve vitin e kaluar.
Maturantët edhe këtë vit do të zbatojnë rregullat antiCovid, ku në një klasë do të jenë 10-15 maturantë. Rregullat do të jenë të njëjta, ku në klasa do të ruhet distanca, maturantët duhet të jenë të pajisur me maska dhe do të kryhet dezinfektimi i tyre në momentin që hyjnë në ambientet e shkollës.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë maturantët do t’i nënshtrohen një testi me pyetje të alternuara mes atyre me alternativa dhe zhvillim.
Provimet e tjera do të jenë ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë që do të mbahet më 7 Qershor, ai i Matematikës në 11 Qershor si dhe Lënda me Zgjedhje më 15 Qershor.