Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Rama do të mbjellë një farë të re përçarjeje mes nesh, ta përdorim 13 qershorin për të dhënë një sinjal të fortë


Paraditen e sotme, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar disa takime me demokratët në Njësitë n.1, n.2 dhe n. 3 në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme.

Gjatë fjalës së tij, Basha foli përsëri për një dizavazhtazh që kanë demokratët në këtë garë, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama po përpiqet të mbjellë një farë të re përçarjeje mes tyre.

Ai u kërkoi demokratëve që ta përdorin 13 qershorin për të shpalosur vlerat e garës së brendshme, për të dalë të bashkuar dhe për të dhënë një sinjal të fortë se këtë betejë do ta vazhdojnë “për njerëzit deri në fitore”.

“E pra miqtë e mi, siç ka avantazhet e veta kjo garë ka edhe një disavantazh për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm. Sepse i vetëdijshëm është edhe kundërshtari. Disavantazhi është që të krijojë apo të mbjellë një farë të re përçarje mes nesh në mënyrë që në vend që të bëjmë detyrën tonë e cila mezi po pret para shqiptarëve, të merremi me njëri-tjetrin. Në mënyrë që në vend që të fokusojmë të gjitha energjitë tona për të përmbushur misionin tonë që nuk është më mision politik por është mision patriotik, të krijojmë kakofoni, të mbjellim dyshim dhe mosbesim të radhët tona. Dhe ky është rreziku që të dorëzohemi para atyre që 25 prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore, por një fitore të Edi Ramës. Motivi i Edi Ramës është i qartë. Ai e di po kaq mirë siç e dimë ne në fakt e di dhe më mirë se është ai projektuesi i kësaj masakre se në çfarë gjendje është vendi, se në çfarë gjendje psikologjike janë qytetarët, se në çfarë gjendje është ekonomia. Ai e di se çfarë ka bërë më 25 prill siç e di vrasësi vrasjen edhe Edi Rama e di që ka vrarë instrumentin e demokracisë dhe ka ndalur përkohësisht vullnetin e shumicës për ndryshim. Ndaj i ka përdorur dhe do t’i përdorë kryesisht këto dy instrumente por jo vetëm. Instrumentin e parë atë të diversionit duke na ftuar të mbyllim gojën të ndalim betejën e të bashkëqeverisim, apo të bashkëndajmë pushtet me të apo të bashkëveprojmë me të. Duke bërë këtë padiskutim ne asgjësojmë kauzën tonë morale.

Ndërsa përpjekjes së dytë për të mbjellë farën e përçarjes ju ftoj që me vetëdijen, përgjegjësinë dhe mençurinë politike ta refuzoni dhe ta përdorim 13 qershorin jo vetëm për të shpalosur vlerat e garës së brendshme por edhe për të dalë të bashkuar siç jeni në bazë dhe për të dhënë një sinjal të fortë se këtë betejë do ta vazhdojmë. Edi Rama nuk do që kjo betejë të vazhdojë, do që të merremi më njëri-tjetrin, do që të hutohemi e të shpërndahemi, të dekurajohemi. Ndërsa unë njësoj si ju e dua Partinë Demokratike të pandarë, e dua Partinë Demokratike të bashkuar dhe dua besimin tuaj për ta vazhduar betejën tonë deri në fund deri në rrëzimin e regjimit dhe plotësimin e misionit që kemi përpara Shqipërisë dhe përpara shqiptarëve. 

Le të vazhdojmë të marrim në bashkimin tonë të gjithë ata që na ndoqën më 25 prill dhe qindra mijëra të tjerë që u penguan nga regjimi të na ndjekin dhe nëse e bëjmë këtë, nëse keni vetëdijen për arritjet përkundër masakrës zgjedhore sikundër dhe gatishmërinë për të korrigjuar ato që mund dhe duhet t’i korrigjojmë, nuk ka forcë të na pengojë për ta mbajtur të ndezur shpresën e shqiptarëve për ndryshim, nuk ka forcë të na pengojë për të rrëzuar një orë e më parë këtë regjim plaçkitësish. Ju faleminderit për vëmendjen!”- deklaroi kryedemokrati.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *