Gjiganti i mediave sociale Facebook ka njoftuar se po pezullon llogarinë e ish-presidentit amerikan Donald Trump për dy vjet, duke filluar që nga 7 janari dhe do e rihapë atë vetëm ‘nëse kushtet e lejojnë’.
Kur filloi për herë të parë pezullimin në fillim të këtij viti, Facebook theksoi se postimet e Trump në janar, para se mbështetësit e tij të protestonin para Kapitolit në SHBA, ishin ‘një shkelje e rëndë e rregullave’.
Afati i pezullimit u njoftua nga Facebook të premten. Më parë, Bordi Mbikëqyrës i kompanisë – një organ i ngritur nga Facebook për të peshuar çështje të tilla – vendosi pezullimin e tij si të përshtatshëm, por rekomandoi që të vendoset një datë përfundimi.
Një pezullim dy vjeçar është ndëshkimi më i fortë i Facebook që zbatohet për figurat publike ‘gjatë kohërave të trazirave civile dhe dhunës së vazhdueshme’ dhe nëse llogaria e Trump rivendoset në janar 2023, ish-presidenti do të duhet të censurojë veten për të shmangur një tjetër bllokim, ka paralajmëruar Facebook.
“Kur pezullimi të hiqet përfundimisht, do të ketë një seri të rreptë sanksionesh të përshkallëzuara me shpejtësi nëse Z. Trump kryen shkelje të mëtejshme në të ardhmen duke përfshirë këtu edhe heqjen e përhershme të faqeve dhe llogarive të tij.” – shtoi postimi i Facebook.
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani