Gazetari bjellorus Roman Protasevich, i cili u arrestua në Minsk muajin e kaluar pas një fluturimi të devijuar është shfaqur i përlotur në një intervistë në televizionin shtetëror.
Mirëpo familja e tij beson se Protasevich është detyruar ta bëjë këtë.
Kjo pasi në këtë intervistë, gazetari disident pranoi akuzat e ngritura ndaj tij se kishte dashur të rrëzonte presidentin Aleksandër Lukashenko nga pushteti, për të cilin në fund shprehu vlerësime.
Siç shkruan BBC, gazetari 26 vjeçar, ishte redaktor i kanalit opozitar Nexta në aplikacionin e mesazheve Telegram deri vitin e kaluar. Ai u vendos në një listë të “individëve të përfshirë në veprimtari terroriste” nga qeveria bjelloruse.
Protestat masive shpërthyen në të gjithë Bjellorusinë pasi Lukashenko pretendoi se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, të konsideruara gjerësisht si të manipuluara.
Protestat janë frenuar dhe udhëheqësit e opozitës janë dërguar në burg ose në internim.
Intervista e Protasevich
Në intervistën e transmetuar të enjten në mbrëmje, Protasevich pranoi përpjekjen për të rrëzuar Lukashenkon dhe tha se ai ishte duke folur për kanalin televiziv me vullnetin e tij.
Ai tha se e kishte kritikuar Presidentin Lukashenko shumë por shtoi se:”kam filluar të kuptoj se ai po bënte gjënë e duhur dhe unë sigurisht e respektoj atë”.
Në fund të intervistës, ai shpërtheu në lot dhe tha se shpresonte një ditë të martohej dhe të kishte fëmijë.
Babai i gazetarit i tha agjencisë së lajmeve AFP se kishte ndjerë dhimbje duke parë djalin e tij ën atë intervistë.
“Unë e njoh djalin tim shumë mirë dhe besoj se ai kurrë nuk do të thoshte gjëra të tilla. Ata e thyen dhe e detyruan të thoshte atë që duhej.”- tha ai.
“Është e tmerrshme të mendosh për brutalitetin që forcat e sigurimit të Bjellorusisë duhet të kenë përdorur për të detyruar Roman Protasevich për të bërë këtë video. Duhet të jetë Ekspozita A në një prokurori për torturat dhe trajtimin e keq nën Presidentin Lukashenko.”- tha Kenneth Roth nga grupi i avokatisë Human Rights Watch.
Kjo intervistë ishte paraqitja e tretë e Protasevich në televizionin shtetëror që kur u arrestua.
Në një intervistë, ai tha se nuk kishte dobi nga opozita që bënte thirrje për protesta të mëtejshme në rrugë.