Kryetari i SPAK-ut, Arben Kraja po raporton sot në Komisionin e Ligjeve lidhur me punën vjetore të institucionit që ai drejton.
Në fjalën e tij për situatën e kriminalitetit dhe goditjen e korrupsionit në vend, Kraja tha se në total janë 746 persona nën hetim, nga të cilët tha se 515 janë hetuar në masë sigurie dhe 213 në gjendje të lirë.
“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën arrest me burg, nga të 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë arrest në mungesë. Masa e sigurisë arrest me burg për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Për 28 persona është vendosur për veprën penale që lidhen me korrupsionin ndërsa për 62 persona është vendosur për veprat penale të tjera. Masa e sigurisë arrest në shtëpi është vendosur për 57 persona nën hetim, 154 persona janë hetuar me masë detyrim paraqitje, një person me ndalim i daljes jashtë shtetit, dy me garanci pasurore, dy me shtrim të përkohshëm në spitalin psikiatrik.”- tha Kraja.
Mes të tjerash, Kraja shtoi se mbi 1000 persona janë përgjuar, “pjesa më e madhe e të cilëve për korrupsion”.
Ai tha se zyra e përgjimit është funksionale dhe me kapacitet të plotë.