Presidenti i vendit Ilir Meta ka komentuar sot vendimin e maxhorancës, për të votuar raportin për shkarkimin e tij në Kuvend javën e ardhshme.
Në një aktivitet në Manastirin e “Shën Joan Vladimirit” në Elbasan, gazetarët e pyetën Metën nëse po lutej për vendimin që do merret pas 5 ditësh për shkarkimin e tij, por Meta tha se nuk ka një lutje të tillë dhe se Zoti duhet t’i falë ata që nuk dinë çfarë të bëjnë.
“Nuk ekziston asnjë lutje e tillë, lutja është zoti t’i falë ata që nuk dinë çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët. Kjo është një përgjigje e qartë. Kam ardhur këtu për t’ju bashkuar këtij mesazhi bashkëjetese. Kjo është e qartë.
Nuk dua të flas në një vend të shenjtë për cështje që nuk ekzistojnë. Kjo tema e shkarkimit është pas 25 prillit dhe kur gjithçka është konfirmuar gjithçka që ka thënë presidenti. U tregua qartë se Kuvendi i dy viteve të fundit ishte ilegjitim.
Nuk kam asnjë shqetësim të tillë. Nëse doni të merreni me një gjë serioze merruni me hetimin e krimeve zgjedhore. Kjo është tema e rëndësishme për të gjithë. Sepse në një vend demokratik qytetarët duhet të sigurohen që të gjithë të jenë të barabartë.”- tha Meta.