Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj me demokratët e Krujës e Fushë-Krujës: Ne Lulin e provuam, me mua nuk do të ketë marrëveshje apo bashkëqeverisje me Ramën


Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj pas një vizite me demokratët e Krujës, thotë se nëse do të zgjidhet ai në drejtim të partisë, nuk do të ketë për asnjë moment bashkëqeverisje apo marrëveshje me kryeministrin Edi Rama. 

 “Nën drejtimin tim nuk do të ketë bashkëqeverisje, nuk do të ketë marrëveshje, në asnjë rrethanë me Ramën. Do të ketë vetem opozitë, opozitë. Në pushtet vihet vetëm me votë dhe votat fitohen duke bërë për vete shqiptarët, dhe shqiptarët bëhen për vete duke e bërë PD-në alternativën e njerëzve të ndershëm, të zotë, qytetarë. Me mua në krye, PD do jetë parti demokratike dhe meritokratike, e hapur për të gjithë, me mundësi karriere për të gjithë, dhe karriera do të garantohet përmes garës dhe votës së anëtarëve.”- shkruan Shehaj në “Facebook”, ku ka ndarë një video nga takimi i tij në Krujë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e brendshme në PD.

Në një postim të dytë nga Fushë Kruja, Shehaj shprehet se me Lulzim Bashën në krye e provuan, duke iu referuar fjalëve të një qytetari.

Sipas Shehajt PD ka dy zgjedhje: të zgjedhë ndryshimin që e çon në fitore (duke iu referuar vetes së tij) ose të zgjedhë mosndryshimin që e çon në humbje (duke iu referuar Bashës).

“Ne jemi të gjithë fermerë këtu dhe e dimë që nuk bën të mbjellësh të njejtën kulturë bujqësore 3 vjet rrjesht në një tokë. Bën sa bën dhe toka shteron. Ne Lulin e provuam. Tani duhet ta ndërrojmë.”

Këto fjalë të një demokrati të Fushë-Krujës përmbledhin filozofinë e progresit: vetëm ndryshimi sjell progres, mosndryshimi të lë në vend. Më 13 qershor, Partia Demokratike ka dy zgjedhje: të zgjedhë ndryshimin që e çon në fitore ose të zgjedhë mosndryshimin që e çon në humbje. Çdo demokrat duhet t’i bëjë një pyetje të thjeshtë vetes: a mendon se udhëheqja e tanishme do e mundë Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme? Pastaj le të votojë, sipas besimit që ka për fitoren. Unë besoj tek ndryshimi dhe do të punoj për ndryshimin, për ta bërë PD-në demokratike dhe meritokratike.”- shkruan Shehaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *