Vendosni fjalën kyçe....

Ben Blushi kapet me “presh në dorë”/ Këmbanë alarmi për SPAK-un


Reforma në Drejtësi, dhe institucionet e reja të dala prej saj, janë trumbetuar fort në media, qoftë nga klasa politike por sidomos nga ambasadorët e huaj në vendin tonë, si një shpresë që shqiptarët më në fund të gjejnë drejtësinë e munguar.

Një ndër institucionet kryesore të dala nga Reforma në Drejtësi është SPAK, Prokurosia e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oraganizuar, për të cilën pritshmëritë e qytetarëve janë të mëdha, që të ketë një aksion të vërtetë për “drejtësinë”.

Pra, të hetohet korrupsioni, krimi i politikës, zyrtarëve të lartë, por edhe krimi i organizuar.

Por, pyetja jonë drejtuar SPAK është pse nuk hetohet Ben Blushi?

Ben Blushi është një ish-politikan, sot drejtor i një televizini kombëtar. Ai është paguar për vite me radhë nga taksat e shqiptarëve në poste publike, dhe pasuria e tij e vënë gjatë këtyre viteve, sigurisht që i plotëson të gjitha kriteret për tu marrë nën hetim nga SPAK.

CNA.al ka raportuar në lidhje me pasurinë marramendesë të drejtorit të Top Channel, Ben Blushi, i cili edhe me ardhjen e Rilindjes në pushtet duket se vetëm ka shtuar pasurinë e tij.

Një personazh i ardhur nga bota e medias, dhe përfunduar në politikë, që në një periudhë të shkurtër, gati një mandat i plotë i Rilindjes, mundi të shtojë pasurinë e tij me një vlerë tregu, prej të paktën 750 mijë eurosh. 

CNA.al ka treguar me dokumente ku kemi provuar se një pronë me një vlerë 10 herë më të lartë është deklaruar për vetëm 30 mijë euro dhe kjo pronë është blerë në Korçë, në qendër të qytetit.

Është një pronë e deklaruar për vetëm 30 mijë euro, kur vlera e saj është gati 10-fish dhe këtë nuk e kemi provuar me ekspertë, por e kemi provuar me një transaksion në objektin ngjitur, apo karshi, e cila është në pronësi të ish-vjehrrit të ndjerë të Zotit Ben Blushi.  E cila është në një vlerë shumë herë më të lartë dhe kjo pronë në aktin e shitjes ka edhe një firmë false.

Por, përtej kësaj, ka edhe një tjetër detaj. CNA.al ka raportuar në lidhje me ortakërinë e Ben Blushit, me pronarët e inceneratorëve në Shqipëri. Ky i fundit një koncesion i akuzuar fort nga opozita.

Së pari, CNA.al ka raportuar në lidhje me një kompani të themeluar në Bullgari, e quajtur Em Capital Group AD, dhe ku bashkëpronarët janë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Eva Blushi, bashkëshortja e Ben Blushit.

Në këtë kompani, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë 67% të aksioneve, ndërsa Zonja Blushi ka 33%.

Më pas, është po kjo kompani, e cila vjen në Shqipëri dhe blen për 2.2 milion dollarë Valtelina Kafe, e cila mban emrin tregtar Lori Kafe. Pra, aksionerja e Top Channel, Vjollca Hoxha në një nga kompanitë e saj, është ortake në një biznes me njerëzit e inceneratorëve dhe bashkëshorten e drejtorit që ajo ka në televizion.

Ndërkohë, së fundi CNA.al ka raportuar për një tjetër kompani, ku tashmë Ben Blushi del hapur me emrin e tij.

CNA.al ka sjellë me dokumente zyrtare sesi vetë Ben Blushi, është ortak në një kompani të re, me pronarët e inceneratorëve.

Kompania është themeluar një muaj e gjysëm më parë dhe tashmë është e hapur, e pastër dhe e qartë dhe nuk ka diskutime. Pronarja e Top Channel dhe Ben Blushi janë ortakë me pronarët e inceneratorëve, pra ata që kanë ndërtuar inceneratorët në Shqipëri, me lekët e taksapaguesve shqiptarë.

 

Kompania quhet “KUDOPAY” dhe këtë herë sërish kemi aksioner Ben Blushin, i cili në kompaninë e parë nuk ishte me emrin e tij, por këtu del hapur vetë drejtori i Top Channel, në ortakëri me Stela Gugallën e inceneratorit të Elbasanit. Me rreth 16% të aksioneve të kompanisë KUDOPAY, ndërsa Vjollca Hoxha ka 17%. Të dy bashkë kanë rreth 33% të aksioneve, kurse 67% i ka Stela Gugallja. 

Por, kush është Stela Gugallja

Stela Gugallja është akuzuar se ka fituar një kontratë klienteliste nga qeveria. Opozita ka akuzuar shpesh për korrupsion në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pasi kompania e saj nuk ka pasur lek për investim, por sapo ka marrë kontratën nga qeveria, ka shkuar në një bankë të nivelit të dytë dhe nëpërmjet saj ka marrë një shumë parash kredi, me të cilën ka filluar investimin e inceneratorit.

Ndërkohë në media është zbuluar edhe lidhja e Stela Gugallës, me Mirel Mërtirin, ai që quhet ndryshe edhe “truri” i inceneratorëve.

E gjithë procedura e ndërtimit të këtij inceneratori është quajtur korruptive nga opozita, por dhe nga mediat që e kanë denoncuar masivisht, vajzën e cila në një moshë fare të re, pa pasur më parë asnjë aktivitet si biznesmene, merr një kontratë koncesionare.

Sipas investigimeve në media, Stela Gugallja është bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit dhe nëna e fëmijëve të tij.

Pra, tashmë është mjaft e qartë, Ben Blushi dhe Vjollca Hoxha kanë dalë hapur në ortakëri me pronarët e inceneratorëve.

Gjithkush mund të thotë se nuk ka asgjë të keqe të shtosh bizneset, apo se Vjollca Hoxha është e lirë të bëjë ortakëri me Eva Blushin, me inceneratorët apo këdo tjetër. Dhe ka plotësisht të drejtë. Në rast se nuk ka abuzime, vjedhje, shmangie taksash e të tjera, pra shkelje të ligjit, biznesi mund të quhet krejt normal.

Por, në rastin kur një pronar televizioni dhe drejtori i atij televizioni të dalin hapur si ortakë me një kompani të akuzuar nga opozita, jo vetëm për lidhjet me qeverinë, por edhe mënyrën sesi këta njerëz kanë mundur të sigurojnë rreth 178 milionë euro kontrata, nga buxheti i shtetit, nga taksat e shqiptarëve, kjo është një “këmbanë alarmi” për SPAK.

Skema është mjaft e qartë, qeveria u jep para pronarëve të inceneratorëve. Pronarët e inceneratorëve i ndajnë ato në biznese me pronarët e medias.

Dhe nëse SPAK ka veshë të dëgjojë e sy të shikojë, provat janë aty. Mjafton të ketë dëshirën dhe vullnetin për të hetuar.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *