Komisioni Europian ka hapur një hetim zyrtar antitrust për të vlerësuar nëse Facebook ka shkelur rregullat e konkurrencës duke përdorur të dhëna reklamuese të mbledhura veçanërisht nga reklamuesit, për të konkurruar me ta në tregjet ku Facebook-u është aktiv, siç janë reklamat e klasifikuara.
Në webfaqen zyrtare të KE-së, thuhet se ky hetim do të vlerësojë gjithashtu nëse Facebook-u e lidh shërbimin e tij të reklamave të klasifikuara në internet “Facebook Marketplace” me rrjetin e tij shoqëror, në kundërshtim me rregullat e konkurrencës së BE.
Nënkryetarja Ekzekutive Margrethe Vestager, e ngarkuar me politikën e konkurrencës deklaroi: “Facebook përdoret nga pothuajse 3 miliardë njerëz në baza mujore dhe pothuajse 7 milion firma reklamojnë gjithsej në Facebook. Facebook-u mbledh të dhëna të mëdha mbi aktivitetet e përdoruesve të rrjetit të tij social dhe më gjerë, duke i mundësuar që të synojë grupe specifike të klientëve. Ne do të shikojmë në detaje nëse këto të dhëna i japin Facebook-ut një avantazh të panevojshëm konkurrues në veçanti në sektorin e reklamave të klasifikuara në internet, ku njerëzit blejnë dhe shesin mallra çdo ditë, dhe ku Facebook gjithashtu konkurron me kompani nga të cilat mbledh të dhëna. Në ekonominë dixhitale të sotme, të dhënat nuk duhet të përdoren në mënyra që shtrembërojnë konkurrencën. ”
Facebook është një shërbim i rrjeteve sociale që lejon përdoruesit e regjistruar të krijojnë profile, të ngarkojnë foto dhe video, të dërgojnë mesazhe dhe të lidhen me njerëz të tjerë. Por gjithashtu ofron një shërbim reklamash të klasifikuar në internet, të quajtur Facebook Marketplace, e cila është një platformë për përdoruesit ku ata mund të blejnë dhe shesin mallra nga njëri-tjetri.
KE thotë se si pjesë e hetimit të thelluar, do të shqyrtojë në detaje nëse pozicioni i Facebook-ut në rrjetet sociale dhe reklamat në internet lejon që të dëmtojë konkurrencën në tregjet fqinje, ku Facebook është gjithashtu aktiv falë rrjetit të tij social, dhe në veçanti në reklamat e klasifikuara në internet.