Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimi i kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Ramës


Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dhe ka shfuqizuar vendimin e kryeministrit Edi Rama, për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila.

Sipas vendimit të Kushtetueses, “është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar”.

Kujtojmë se në qershor të vitit 2019, kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra kryebashkiakun Zef Hila, duke paralajmëruar gjithashtu se përpos shkarkimit do ndiqet edhe penalisht.

Ai paralajmëronte të gjithë ata që do ndjekin shembullin e tij se do përballen me drejtësinë.

“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë.” – shkruante Rama asokohe.

Kryebashkiaku Zef Hila u shkarkua nga Rama për shkak të djegies së KZAZ-së në Bushat. Siç njoftonte policia, mbrëmjen e 27 qershorit të atij viti, janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizant të PD-së, tek KZAZ nr.6 e cila ishte ngritur pranë një shkolle në Bushat, Vau i Dejës. Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta. Gjatë kësaj proteste, u plagosën 3 punonjës policie.

Asokohe, kryebashkiaku Hila shprehej se nuk ka pasur dijeni se protesta do të përshkallëzonte, por dinte se do mbahej vetëm një protestë paqësore./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *