Zbulohet dëshmia e 33-vjeçares Dhurata Saliaj, e cila u arrestua mbrëmjen e kaluar si bashkëpunëtore e babait të saj, në vrasjen e të shoqit me të cilin ishte në prag divorci, Kudret Saliajt.
Zonja Saliaj ka deklaruar në polici se ish-burri e kërcënonte atë vazhdimisht se do ta vriste. Sipas saj vetëm 3-4 ditë para ngjarjes i kishte shkuar tek shtëpia e prindërve duke i kërcënuar si familje.
“Marrëdhëniet me Kudretin i kishim shumë të acaruara. Sa herë unë tentoja të kontaktoja me fëmijët, ai vinte te puna e babit ose në shtëpi dhe na kërcënonte dhe thoshte se do më vriste.
Rasti më i fundit ka qenë para 3 ose 4 ditësh që erdhi në shtëpi në Picar dhe na kërcënoi si familje. Kur vinte në shtëpi shumicën e herëve i dilte mami dhe përballej me të se mua kishin frikë të më nxirrnin. Para 1 muaji mami ka marrë urdhër mbrojtjeje nga ai për 1 vit.
Familja ime ka jetuar nën presion kaq muaj. Kam shkuar me babain tek gjykata dhe ja kam bërë të qartë Kudretit se unë fëmijët nuk i lë. Doja të takoja djalin ti flisja. Aty ndodhi ngjarja.”- ka thënë gruaja 33-vjeçare para hetuesve, sipas “Balkanweb”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, në një lokal pranë gjykatës së Tiranës, ku Kudret Saliaj po pinte kafe me avokatin Adriatik Cama i cili mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë.
Mexhit Picari, një ish-polic burgu hyri në lokal duke i zënë në befasi ish-dhëndrrin e tij Saliajn dhe avokatin Cama.
Kjo ndodhi vjen pas sherreve të vazhdueshme për divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve, pasi Kudret Saliaj kishte hapur procesin gjyqësor për t’u ndarë nga gruaja e tij Dhurata me të cilin kanë edhe 3 fëmijë.