Kandidatja për kreun e PD-së, Edith Harxhi, ka thën sot se nëse Basha i fiton zgjedhjet e 13 qershorit, PD-ja do kthehete në një organizatë joqeveritare.
Ajo theksoi se me kreun e tanishëm të partisë, ngritja e PD-së do jetë shumë e vështirë. Harxhi shtoi më tej se Basha nuk ka një plan të qartë sesi do e mundë qeverinë e Edi Ramës.
“Kam frikë që PD do humbasë shumë për vetë faktin se ka humbur tashmë në këto 8 vjet. Në keto vite ne jemi jashtë pushtetit qendror dhe vendor. Unë mendoj që nëse ne do të vazhdojmë me të njëjtën rrugë pa një prespektivë të qartë se si do ta mundim qeverinë aktuale, dhe se si është projekti ynë i ardhëm një projekt i ri që do drejtojë fundin e tranzicionit në PD dhe Shqipëri, këto s’mund të bëhen me Bashën dhe kam frikë se PD do të përfundojë shumë rëndë, ndoshta në një OJF. Që do të thotë se do të jetë shumë e vështirë më vonë për ta ringritur partinë.” – tha Harxhi, shkruan Shqiptarja.
Kandidatja për kreun e PD-së shtoi më tej se selia blu duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për gjithçka nuk ka bërë në 30 vite për viktimat e komunizmit e pronarët e ligjshëm.
“Një nga pikat e programit tim është bashkimi i të gjitha vlerave dhe kontributeve të të gjitha kohërave. Ky bashkim duhet të ndodhë mbi idealet e vitit 1990 ku në plan të parë duhet të kemi antikomunizmin dhe pronarët e ligjshëm të cilët tani fatkeqësisht janë kthyer në ish-pronarë, në plan të parë duhet te kemi shtresën e mesme. Natyrisht ne duhet të bëjmë dhe një kërkese falje publike për gjithçka që nuk kemi bërë në 30 vite për viktimat e komunizmit dhe për pronarët e ligjshëm.” – shtoi Harxhi në intervistën e saj.