Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim e fton komentuesin në zyrë pasi ai e quajti “kineze”: Jam njeriu më me fat në Shqipëri


Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka ftuar në takim një nga komentuesit e saj në rrjetin social “Instagram”, i cili i ngatërroi asaj vendin e origjinës.

Ambasadorja Kim kishte publikuar një foto me këngëtaren Ermira Babaliu të cilën e kishte takuar në Pogradec, një foto që mori shumë komente por njëri dallonte mes të tjerëve. Kjo për shkak se një qytetar e quante atë kineze.

“Miqësia shqiptaro – kineze është një histori e vjetër dhe e bukur gjithmonë. Kalofsh një kohë të këndshme në Pogradec.”- shkruante qytetari.

Zonja Kim nuk ka vonuar t’i përgjigjet komentuesit, duke e ftuar atë në zyrën e saj për të diskutuar mbi SHBA-në dhe origjinën e saj që në fakt është nga Koreja e Jugur dhe jo nga Kina.

 “Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’ju tregoj për historinë krenare të vendit tim si një ‘Komb i Emigrantëve’, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam ‘kineze’. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë.”- i është përgjigjur ambasadorja qytetarit.

E ky komentues përveçse nuk e ka pritur përgjigjen nga ambasadorja është entuziazmuar shumë për takimin me të. Madje e ka konsideruar veten njeriun më me fat në Shqipëri.

“Unë jam personi më me fat në Shqipëri! Askush nuk merr një ftesë publike nga ambasada e SHBA-ve për një kafe dhe bisedë të sinqertë! Unë vërtet e çmoj ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona përkatëse dhe më shumë. Zoti i bekoftë SHBA-të!”- shkruan qytetari.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson Shtetet e Bashkuara si Ambasadore dhe ambasadorja e parë e SHBA–ve nga Guami. Pë rata që nuk e dinë, zonja Kim ka lindur në Korenë e Jugut (jo në Kinë) dhe emigroi me familjen e saj në Guam (një territor i SHBA-ve) në vitin 1976 kur ajo ishte katër vjeç.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *