Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarët nuk do lejohen më të ndjekin nga afër Kuvendin, Meta: Si në regjimin e Lukashenkos, po dëmtojnë integrimin


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me vendimin e marrë nga Kuvendi, për të mos lejuar transmetimet live të televizioneve, nga punimet e seancave.

Meta shprehet se ky vendim merret pas vendosjes nën kontroll të plotë të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) nga qeveria, dhe i krahason këto veprime me ato që ndodhin në regjimin e Alexander Lukashenkos në Bjellorusi.

“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.

Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese ‘Antishpifje’, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.”- shkruan presidenti Meta.

Vendimi i miratuar në fshehtësi nga Kuvendi, nuk i lejon gazetarët të ndjekin aktivitetet e kryesisë së Kuvendit nga afër, por në një zyrë me kompjuterë ku transmetohen në kohë reale aktivitetet, por që regjia bëhet nga Kuvendi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *