Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve.
Pretendimet e PD-së se shtatë anëtarët e tij nuk garantojnë paanshmëri në gjykim, janë konsideruar të pabazuara nga Kolegji Zgjedhor.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Partia Demokratike përmes juristit Marash Logu, duke e konsideruar këtë një akt të paprecedentë, që Kolegji të shqyrtojë ‘veten’.
“Me urgjencë të paparë, sot në 08:30, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë) për shkak të cënimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shpresoj shumë që 7 gjyqtarët e Kolegjit nuk do t’i shkojnë deri në fund paligjshmërisë, duke gjykuar vetë mbi një kërkesë për përjashtimin e tyre (gjyqtarë të vetes). Ky do të ishte një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore.”- shprehet juristi i PD-së, Marash Logu.