Mesditën e sotme në orën 12.00 do të mblidhet Asambleja e Shoqatës së Bashkive të vendit, për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese.
Aktualisht Voltana Ademi është kryetare e shoqatës së bashkive, mirëpo ajo pretendon se anëtarët e PS-së në këtë shoqatë, kanë bërë një tentativë për të kapur shoqatën.
Kryebashkiakja Ademi iu ka dërguar një letër ambasadorë-ve, në emër të Shoqatës së Bashkive, ku kërkojn vëmendjen e tyre në këto zhvillime.
Zonja Ademi shprehet se dyshimet e saj janë vërtetuar nga një mail.
Letra e Ademit dërguar ambasadorëve:
Për: Ambasadorët në Republikën e Shqipërisë
Drejtuesit e Misioneve të Huaja në Shqipëri
Partnerët e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë
Të nderuar Shkëlqesi,
Më datën 24 maj 2021 përmes letrës dërguar në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ndamë me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH.
Dyshimet tona tashmë u vërtetuan nga një email i komunikuar, tekstin e të cilit po e dërgojmë të plotë bashkangjitur.
Në emailin e shpërndarë thuhet se: ”….. me porosi të z. Pjerin Ndreu po ju dërgojmë këtë email në lidhje me mbledhjen e Komitetit Drejtues për të organizuar Asamblenë e
jashtëzakonshme të Shoqatës së Bashkive. Qëllimi i kërkesës për mbledhjen e Asamblesë së
Përgjithshme është për mbrojtjen e interesave të Shoqatës gjatë përfaqësimit të saj në
Gjykatën Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019…..”
Qartësisht shprehet qëllimi për të zgjedhur të ashtuquajtura “organe te reja drejtuese të shoqatës” para zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, e cila zhvillohet më datë 23 qershor 2021.
Shqyrtimi dhe Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në
BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën. Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
SHBSH konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë një rëndësi të madhe. SHBSH shpreh vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Duke njohur rolin tuaj të rëndësishëm, kërkojmë vëmendjen tuaj në monitorimin e këtyre zhvillimeve të fundit. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore. Me respekt,
Voltana Ademi