Kuvendi ka shkarkuar sot presidentin Meta.
Në votimin për shkarkimin e presidentit Meta morën pjesë 114 deputetë, nga të cilët 104 votuan pro shkarkimit të tij, 7 votuan kundër ndërsa 3 abstenuan.
Kjo është hera e parë në 30 vite që një president shkarkohet nga parlamenti i vendit. Edhe pse e kishte paralajmëruar muaj më parë, në përplasjet e tij të herëpashershme me kreun e shtetit, pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama njoftoi se menjëherë pas rezultatit zyrtar, Kuvendi do niste procedurat për shkarkimin e Metës.
Ai e akuzoi kreun e shtetit se ka tejkaluar kompetencat e tij si president në shumë raste, por sidomos në periudhën para zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas Ramës, gjuha e veprimet e Metës i tejkalojnë pozitat e tij si figurë unitare e vendit dhe se me gjuhën e përdorur prej tij ai ka nxitur dhunë në periudhën para zgjedhjeve.
Para pak javësh, Kuvendi nisi komisionin që do merrej me trajtimin e çështjes e sot deputetët votuan për shkarkimin e Metës.
Në fjalimet e tyre gjatë seancës, deputetët thanë se presidenti Meta kishte shkelur ligjin, kishte nxitur dhunë, kishte tejkaluar detyrën e tij si dhe kishte shkelur demokracinw duke mos respektuar ndarjen e pushteteve.
Vetë Meta ka thënë në disa deklarata të mëhershme se nuk është aspak i shqetësuar nga vendimet e Kuvendit njëpartiak dhe se vendimet e tij janë të paligjshme.
Pas kësaj vendimi përfundimtar i mbetet Gjykatës Kushtetuese. /Hashtag.al