Në seancën e sotme plenare ku po votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, deputeti Lefter Maliqi deklaroi se pavarësisht vendimit që do të merret sot, Meta do të vijojë edhe 30 vite të tjera në politikë.
Kështu ai deklaroi hapur se vota e tij do të ishte kundër shkarkimit të presidentit, për të cilin theksoi se e ka sjellë këtë qeveri në pushtet.
“Të dashur shqiptarë po shikoni ekstradën e radhës. Besoj se jeni gajasur. Përpara kësaj estrade patë Esat Toptanin që iku. Foli këtu si diktator, foli me fjalën tradhëtar ndërkohë që është kryetradhëtar për shitjen e detit, kryetradhëtar për marrëveshjen për shitjen e trojeve shqiptare, kryetradhëtar për mbushjen e shqiptarëve me njerëz nga lindja si Iraku e Siria, kryetradhëtar për masakrën elektorale, për drogën, krimet e të gjitha me radhë.
Megjithatë sot është një fletërrufe e dytë e Komisionit të dytë Hetimor. Por fatkeqësisht ky Komision Hetimor përbëhet nga deputetë që nuk do të jenë më në Parlamentin e Shqipërisë.
Por unë dua të them që vota ime është e hapur kundër këtij akti të turpshëm dhe kriminal e antikushtetues për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe duke qenë i bindur se ai që ju dha dorën dhe ju e bëtë president dhe ju dha qeverinë, që pavarësisht gajasjes apo fryrjes tuaj, do e keni të paktën edhe 30 vjet në Politikë, në Parlament, në Qeveri. Mbase disa prej jush që kanë moral do t’i drejtojë. Por ju që keni frikë se ky masakroi me votën e 25 Prillit, me banda, kriminelë e oligarkë, nuk ka ndonjë habi që votimi i sotshëm do të jetë një votim siç ka qenë votimi i 30 Qershorit të 2019-ës, një votim monist, në rresht të gjithë. Sepse të gjithë e kemi parë të dashur shqiptarë prej dy vjetësh, Parlamenti i Shqipërisë si çdo institucion tjetër është i kapur.
Ka vepruar kundra interesave të shqiptarëve, ka votuar PPT-të për të pasuruar miliardat e oligarkëve dhe të këtyre qeveritarëve të korruptuar, ka votuar 100% ligjin antikushtetues KÇK, ku të gjithë kriminelët që iu vunë shiritat i përdorën për presione e shantazhe ndaj votuesve, kur ky Parlament votoi kundër marrëveshjes në rezdencën amerikane për 5 Qershorin për të prishur koalicionin për të arritur në këtë masakër elektorale dhe ky Parlament la jashtë jo vetëm juve dhe bashkë me mua (se unë e kisha thënë se nuk doja të isha më deputet dhe prandaj kërkova të më linin të 7-tin, por la edhe deputetë të ndershëm të PS-së që sot kanë frikë. S’ka problem, mu pre fjala (tani flet pa mikrofon) por të jeni të bindur se ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe ky diktator siç kanë parë siç kanë bërë edhe diktatorët e tjerë, do bjerë se s’bën një ditë nga karrigia, sepse është karrige krimi, karrige blerjeje, shantazhi e të gjitha me radhë.”- deklaroi Maliqi.