Vendosni fjalën kyçe....

Numri i bizneseve në bujqësi u rrit me 7.2% më 2020, por kontribuuesit ranë me 24%


Sektori bujqësor gjeneroi thuajse të gjithë numrin e bizneseve të reja që u hapen gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, me 2020 në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet 50,411 biznese në sektorin e bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve, nga të cilat 7.2% ose 4706 biznese u hapen rishtas, teksa numri i përgjithshëm i bizneseve u shtua me 4044 sipërmarrje të reja.

Ndryshe nga shumë sektorë që u preken rëndë nga kriza pandemike, bujqësia nuk u ndikua, as nga kufizimet në lëvizje dhe as nga konsumi. Ushqimet sidomos prodhimet e freskëta ishin produkti më rritjen më të lartë të shitjeve brenda dhe jashtë vendit vitin e kaluar, trend që ka vijuar edhe këtë vit.

Por shtimi i bizneseve të reja në sektorin bujqësor duket se nuk ishte produktive, pasi numri i fermerëve të përfshirë në skemën publike të sigurimeve ka pësuar rënie gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërorë vitin e kaluar paguan sigurimeve vetëm 46 mijë e 743 fermer me një rënie 24 % në raport me vitin 2019 dhe 7.2 për qind më pak se, bizneset e regjistruar në tatime.

Sektori bujqësor është përfshirë në një proces formalizmi, që prej vitit 2016 ku nisi pajisja me nipt e fermerëve. Mirëpo për shkak të produktivitetit të ulët bizneset e kontribuojnë shumë pak në buxhetin e shtetit. Në vitin 2020 fermerët përbënin 30 për qind të stokut total të bizneseve. Shumica e tyre nuk paguajnë taksa. Kontributet që paguan fermerët në 2020 ishin 1,6 miliardë lekë dhe zunë vetëm 2% të totalit të ardhurave nga kontributet, duke pësuar ulje me 25% në raport me vitin 2019.

Numri më i madh i bizneseve të reja në bujqësi u hap në qarkun e Fierit. Ky qark numëron 13,880 biznese bujqësor, më rritje 8% në raport me vitin 2019. Në Fier janë të përqendruar 27% e totalit të bizneseve bujqësore, e pasuar nga Korça me 8283 biznese me një zgjerim prej 7.1 % më 2020, Elbasani me 6200 biznese me një zgjerim 8.7 për qind vitin e kaluar.

Ndryshe nga sektorët e tjerë, bizneset në bujqësi u rriten në të gjitha qarqet. Zgjerimi më i madh u vu re ne qarkun e Dibrës me 19.5%, ku u regjistruan në tatime 855 fermerë nga 685 që ishin më 2019, i ndjekur nga Durrësi me 18%, Kukësi me 14.3%.

Me gjithë rritjen e numrit të bizneseve dhe zgjerimit të eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë, kurse rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi. Sipas një studimi të Programit Botëror të Ushqimit (FAO), shumica e fermave në vend, ato me sipërfaqe 1 hektar, rezultojnë me humbje dhe prodhojnë vetëm për vetë-konsum.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *