Vendosni fjalën kyçe....

Për herë të parë në 30 vjet, Parlamenti voton sot për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta


Presidenti Ilir Meta mund të bëhet sot Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

Për herë të parë në 30 vite, deputetët e Kuvendit shqiptar do të votojnë për të shkarkuar ose jo një President Republike.

Kuvendi e ka futur si pikë të parë në rendin e ditës çështjen e shkarkimit të kreut të shtetit, pas miratimit nga Komisioni Hetimor të raportit përfundimtar për shkeljet kushtetuese që pretendohet se ka bërë Ilir Meta.

Për të shkarkuar kreun e shtetit duhet që të jenë në të njëjtin mendim së paku 94 deputetë. Aktualisht, socialistët në Kuvend kanë 74 mandate, por gjithsesi faktet kanë treguar se kur maxhorancës në këtë legjislaturë i janë dashur vota në nivele të tilla, ajo i ka gjetur, si në rastin e ndryshimit të Kushtetutës vitin që shkoi.

Socialistët pritet t’i sigurojnë 94 votat, nisur kjo dhe nga fakti që për të ngritur Komisionin Hetimor për shkarkimin e Ilir  Metës, ishin dakord 97 deputetë.

Por edhe vendimi i Kuvendit nuk do të jetë i mjaftueshëm për të shkarkuar menjëherë presidentin, thjesht do të lërë topin në fushën e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhet të vendososë nëse akuzat e Parlamentit për shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit Meta, janë të mjaftueshme apo jo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *