Në seancën e sotme plenare pritet që të shkarkohet presidenti Ilir Meta. Pak para se kjo seancë të niste në orën 10:00, deputeti Lefter Maliqi e ka quajtur atë “një seancë turpi”.
Maliqi iu ka bërë thirrje deputetëve socialistë, që të votojnë kundër shkarkimit të presidentit Meta. Ai shtoi se do jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do thotë fjalën e fundit për Metën, ndërsa paralajmëroi se shtatori do të vijë me protesta.
“Ky parlament ka punuar për të pasuruar disa njerëz, për të ndryshuar 5 qershorin duke arritur masakër elektorale, ashtu siç bëri edhe me aktin antikushtetues KÇK. Kjo është një seancë qesharake.
Sot është seancë e turpit e këtij parlamenti të kapur, kjo është një seancë qesharake, aktrim, estradë, është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos, që shpresoj mos ta ketë kapur Rama, se nuk ka asnjë alibi për të shkarkuar presidentin.
Rama ka ngritur alibinë që një pjesë e ndërkombëtarëve e duan dhe një pjesë e sulmon duke i vënë kushte për hapjen e negociatave.
Një alibi është se një pjesë e ndërkombëtarëve e duan Ramën që të mbushë Shqipërinë me afganë e libianë e për ndryshim kufijsh. Unë nuk e besoj këtë.
Ruçi ka thënë ‘O Talo të rëntë tënja’, atëherë thoshte për PD-në, sot duhet ta themi për këtë njeri që është Rama.
Shtatori do jetë me protesta, jam i bindur se vendi është zhytur në krim ekstrem dhe varfëri, sepse ka vrasje makabre, vjedhje, grabitje, Shqipëria është ku thërret qameti. Një mafie drejton sot Shqipërinë dhe uroj që gjithçka të kthehet në normalitet. Ju bëj thirrje deputetëve socialistë, votoni kundër shkarkimit të presidentit. Këta kanë thënë se ‘pushteti merret me grykën e pushkës’ dhe paska probleme pse ka deklaruar presidenti ‘merrni kosoret’. Shtatori do jetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.”- deklaroi Maliqi.