Fatbardh Kadilli, një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ka shpërndarë sot një video-mesazh për demokratët, në një kohë kur vetëm 3 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e brendshme në PD.
Kadilli shprehet se propozimi i tij është që kryetari i një partie që nuk fiton dhe nuk bëhet kryeministër, duhet të shkarkohet nga drejtimi i partisë.
“Të dashur demokratë: PD-ja ime dhe juaja është streha e gjithkujt, por nuk mund të jetë kurrë peng i askujt! Manifesti im politik i jep fund kryetarit-pronar.
Propozimi im është që Kryetari të zgjidhet vetëm për një mandat 4 vjeçar dhe vetëm me një mision: Të fitojë zgjedhjet politike, me PD-në forcë e parë. Kryetari ose fiton dhe bëhet Kryeministër, ose shkarkohet dhe shkon në shtëpi. Kryetari që humb zgjedhjet nuk mund të rikandidojë më.
Ky është manifesti im politik. Unë jam Bardh Kadilli. Në garë për një PD të hapur, të pastër, të bashkuar, fituese.”- shprehet Kadilli.
Vetëm tri ditë kanë mbetur nga zgjedhjet e brendshme të PD-së për drejtimin e partisë dhe në garë janë katër kandidatë: kryetari aktual Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi si dhe Fatbardh Kadilli.