Në Shqipëri, si përherë, debati do të nisë më vonë, por disa shkëndija janë dukur. A duhet apo jo të ushqesh fëmijën me gji në publik? Në një botë çmendurisht të dirigjuar nga vithet e gjoksi lakuriq, të diskutosh një prej mrekullive të jetës, edhe me rregullat e kompanive të rrjeteve sociale, mua më duket marrëzi. Ka njerëz që e shohin gjirin që ushqen foshnjën si objekt seksual. Edhe? Ata lloj, si objekt ndërzimi do të shohin edhe një manekin që shëmbëllen një grua. Ata duhen edukuar t’i përmbahen arsyes përkundër instiktit, jo të ndalohen nënat.
Ka njerëz që ndihen keq kur shohin një nënë duke ushqyer diku në park. Edhe? Nëse nuk ndihen keq kur shohin dikë që i pikon sanduiçi keçap në bluzë dhe përplas buzët duke u përtypur, por mrrolen me gjirin ushqyes, atëherë le të pirdhen. Ka njerëz që ndihen të fyer nga veprimi i ushyerjes sepse përngjasohet me kafshët. Edhe? Cila është në fakt natyra njerëzore, humane, që u tradhëtoka në këtë rast?! Njerëzit sillen, e thërrasin apo krahasojnë njëri-tjetrin me çdo kafshë të mundshme: gjarpër, nepërkë, qen, luan, dhi, balenë, lopë, mi, mace, grerëz…
Për mua, ushqyerja me gji e fëmijës KUDO ku atë e merr uria, është pika më e lartë e lidhjes mes nënës dhe fëmijës. Dhe mundësia që i jepet dikujt, apo disave të jenë prezent në këtë ngjarje që nuk vjen nga shtëpia e tyre, duhet parë si një mrekulli e vogël që të rastis. Nuk ke pse proteston. Buzëqesh se ashtu je ushqyer dhe ti, s’ka rëndësi ku ke qarë në një park, apo në katuan e lopës. Nëse bezdisesh, ku di unë për shkak të ndonjë besimi, kthe kokën në anën tjetër, Zoti do të të falë.
Sepse në atë moment nuk po rritet veç një fëmijë, por edhe një Nënë. Fjalën që po kërkojnë ta heqin në disa vende, me arsyetimin e zhdukjes së pabarazisë gjinore nga punëdhënësit. Në vend të termit “Nënë” propozohet “prind që ka lindur”. Kërkesat e grupimit LGBTQI avancojnë edhe drejt termit “baba”, përdorimit të tualeteve, veshjeve, etj. Jam i sigurt që kërkesat e tyre nuk do të ndalen këtu. E, do të fitojnë madje.
Ata janë një realitet i organizuar, i fuqishëm, me superlobingje e mbështetje të pakrahasueshme me askënd. Unë personalisht nuk e shoh më si grupim që kërkon të drejta, por si strukturë politike-ekonomike-fitimprurëse. Çfarë ka kjo të bëjë me fjalën “Nënë”? Po nëse tradicionales i heqim Nënën, duke e kthyer në një surrugato që vetëm lind, duke i mohuar, rritjen, edukimin, sakrificat, dashurinë, përkëdheljet etj, e kështu vazhdohet me të tjera “mbetje tradicionale”, atëherë rruga e tyre është krejt e hapur për çdo mbizotërim. Në vetëm pak dhjetëvjeçarë. Janë grupimi që kanë marrë më shumë “konçensione” nga shoqëria dhe shtetet në pak kohë. Janë në ekspansion. Qofsha i gabuar.