Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Peqinit dhe Paskuqanit në kuadër të fushatës së brendshme brenda partisë.
Në këtë takim ai i ftoi të gjithë demokratët që të dalin masivisht për ta votuar dhe për të treguar forcën e tyre. Ai theksoi se zgjedhjet e së dielës së 13 Qershorit, do të përcaktojnë edhe kursin që Partia Demokratike do të ndjekë.
“Kush e mohon masakrën e 25 prillit, për fat të keq i bie me shkelm kësaj sakrifice.
Ne jemi sot në mes të një gare të brendshme e cila do të finalizohet të dielën. Ajo që do të vendosim të dielën do të përcaktoj edhe kursin me të cilin do të ecim. Siç kam insistuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë, dua ta përsëris edhe këtu, ne mund të kemi mendime të ndryshme për aspekte të ndryshme të gjithçkaje që ka ndodhur, qoftë në kuptimin e asaj që na ka ndodhur për shkak të kundërshtarit, qoftë për shkak të përgjegjësive të brendshme tona.
Gjithsecili ka lirinë të mendojë dhe të analizojë dhe natyrisht me 13 qershor të vendosë në bazë të këtij arsyetimi, por për një gjë nuk mund të jemi të ndarë, për një gjë nuk mund të kemi 2 mendime, e nuk mund të ulemi në 2 karrige, ose 25 prilli ishte masakër zgjedhore ose ishte fitore e e Edi Ramës.
Në qoftë se pranojmë të dytën, atëherë de facto kemi shkelur mbi sakrificën e demokratëve dhe i kemi rënë me shkelm gjithckaje që kemi ndërtuar në katër vite dhe kjo nuk është më e keqja, më e keqja është që duke pranuar këtë kemi legjitimuar mënyrat, format e të keqes, korrupsioni, krimin harbutërinë, dhe i kemi hapur rrugën një nate të pafund për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Unë nuk mund ta pranoj këtë, unë nuk mund të pranoj të shkel mbi sakrificën e demokratëve. Unë nuk mund të pranoj ta trajtoj Edi Ramën si një kundërshtar normal politik në momentin që ai ka dhunuar dhe ka shkatërruar të vetmin mekanizëm që ka demokracia, vullnetin e shumicës.
Ndaj përgjigja ime ka qenë dhe mbetet nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike prej ditës së parë që as nuk e njoh, as nuk e pranoj tjetërsimin e vullneti të shqiptarëve me 25 prill dhe rezultatin e manipuluar të 25 prillit. As e njoh dhe as nuk e pranoj si të ligjshëm asnjë instuticion të dalë nga kjo masakër, sikundër nuk mund të pranoj kurrësesi që të bëhem pjesë e kësaj masakre duke kapur njërën nga dy duart e Edi Ramës, atë që gjoja shtrin për bashkëpunim ndërkohë që me dorën tjetër ka intensifikuar goditje ndaj demokratëve dhe ndaj mbështetësve tanë kudo anembanë Shqipërisë.
Për mua ka vetëm një rrugë: rruga e betejës totale ndaj atij që i ka shpallur luftë totale Partisë Demokratike, demokratëve shqiptarëve, Shqipërisë dhe demokracisë. Nuk ka rrugë tjetër! Nuk do të jetë fushë me lule por ju e dini fare mirë që asnjë betejë e jona as me të as me paraardhësit e tij nuk ka qenë fushë me lule.
Nuk do ta bëjmë për veten tonë por do ta bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ju e dini fare mirë që po nuk e bëmë ne nuk ka forcë tjetër që ta bëjë.
Unë ju ftoj që në 13 qershor të dilni masivisht e në radhë të parë për të treguar qytetarëve të Paskuqanit, Kamëz, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë forcën tonë. Ju kërkojë të votoni për të vazhduar se betejën tonë se rrugë tjetër nuk ka. As Shqipëria nuk do të zbrazet dhe të vdesë, as demokracia nuk do të marrë fund pas 30 viteve që ka lindur dhe as shqiptarët nuk do të kthehen në kohët më të errta të monizmit.”– deklaroi Basha.