Duke nisur nga kjo e premte, për një muaj rresht do të mbahet Kampionati Europian i futbollit “EURO 2020”.
Dhe për ata që nuk e dine, një këngëtar shqiptar do të këndojë në hapjen e këtij kompeticioni, më i rëndësishmi në futbollin europian.
Fjala është për këngëtarin Ermal Meta, me këngën e tij UNO. Në skenë do të ngjitet i pari Andrea Boceli, i cili do të këndojë ‘Nessun Dorma’ të Puccinit dhe do jetë protagonist kryesor.
Lidhur me këtë Bocelli është shprehur:”Do të jetë një kënaqësi dhe një nder të jem në gjendje të ofroj zërin tim, nesër, në ceremoninë e hapjes së UEFA Euro 2020, në qendër të vëmendjes së Stadiumit Olimpik në Romë. Do të jetë gjithashtu një mundësi e çmuar për të dërguar një mesazh të fortë shprese dhe pozitiviteti. “
Ndërsa Meta do të këndojë pikërisht pak para nisjes së ndeshjes Itali-Turqi, e cila do jetë dhe ndeshja e parë.
Kjo nuk është hera e parë që një artist shqiptar performon në ceremoninë hapëse të ndonjë kampionati të rëndësishëm në futboll, kujtojmë se edhe këngëtarja Era Istrefi këndoi në hapjen e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.