Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria e Madhe një marrëzi” – Rama intervistë për median serbe, shpreh rezerva për planin e Kosovës për të paditur Serbinë për gjenocid


Pas Samitit të djeshëm në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për “Euronews Serbia”, ku ka shprehur rezervat e tij ndaj planit të Kosovës për të paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar një “marrëzi më vete” idenë e “Shqipërisë së Madhe”, duke u shprehur se ajo nuk ka ekzistuar kurrë.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk duhet të vazhdohet të humbet kohë duke mos e zgjidhur konfliktin.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Ne nuk jemi vetëm në botë. Ne kemi partnerë, aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri, i cili është rezultat i përpjekjeve të mëdha brenda dhe jashtë Kosovës. Këto ide dhe vendime të shkëlqyera nuk duhet të merren vetëm sepse dikush mendon kështu ose thjesht sepse ne mendojmë kështu, por duhet të bëhen në një rrugë të qartë konsultimi dhe dëgjimi të asaj që partnerët dhe aleatët tanë kanë për të thënë. Unë kurrë nuk kam dëgjuar dikë që e mbështet atë ide.”- tha Rama.

Gjatë kësaj interviste, Rama foli edhe për idenë e “Shqipërisë së Madhe”, duke e konsideruar atë një “marrëzi më vete”.

“Para së gjithash, duhet të dini një gjë. Shqipëria e Madhe nuk ka ekzistuar kurrë në gjuhën tonë dhe nuk është një trillim që kam gjetur në librat tanë të historisë ose në disa mendime dhe trashëgimi të mendjeve tona të mëdha. Shqipëria e Madhe është një term që ka origjinën jashtë Shqipërisë dhe është inkurajuar nga ata që dëshironin të krijonin një përbindësh të rrezikshëm, i cili natyrisht do të ishte shqiptar i rrezikshëm. Shqipëria e Madhe është marrëzi më vete.”– tha Rama mbi idenë e “Shqipërisë së madhe”.

Në fund të intervistës, ai bëri një ftesë për qytetarët serbë që të vijnë të kalojnë pushimet verore në Shqipëri.

“Unë do të thosha atë që përmendët në fillim: ju nuk keni nevojë për vizë, madje as një pasaportë, vetëm një kartë identiteti. Ejani të na vizitoni, ejani të shijoni bregdetin tonë, të takoni njerëz. Sepse atë që njerëzit mund të bëjnë, asnjë politikë ose strategji nuk mund të arrijë në drejtim të afrimit të vendeve, përmes njohjes dhe mirëkuptimit.” – tha kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *