Në vitin 2020, kur shërbimet dhe aktivitetet në internet u shtuan për shkak të pandemisë COVID-19, numri i sulmeve të organizuara kibernetike në Evropë është rritur më shumë se dyfish në krahasim një vit më parë.
Gjithsej 304 sulme kibernetike në sektorë kritikë në kontinentin evropian janë zbuluar gjatë vitit 2020, raportoi CNN duke cituar Agjencinë e Sigurisë Kibernetike të Bashkimit Evropian (ENISA).
Sulmet shënuan rritje më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2019, kur u regjistruan 146 sulme.
Hakerat kanë sulmuar shërbimet vitale gjatë pandemisë. Gjatë periudhës në fjalë, ka pasur një rritje me 47 për qind të sulmeve kibernetike kundër rrjeteve të spitaleve dhe institucioneve të tjera shëndetësore që luftuan kundër pandemisë në vijën e frontit.
“Pandemia ka bërë që shumë shërbime të ofrohen në internet. Siguria është vendosur në plan të dytë për shkak të urgjencës së procesit të tranzicionit”, ka thënë Apostolos Malatras, Drejtues Ekipi i Grupit të Dijes dhe Informacionit të ENISA-s.
Ndërkohë, ekspertët kanë theksuar se sulmet kibernetike me “ransomware” janë bërë të përhapura.
Sipas raportit të firmës britanike të sigurisë kibernetike Sophos, gjersa kostoja e sulmeve me “ransomware” ndaj kompanive dhe institucioneve ishte rreth 761.000 dollarë në vitin 2020, kjo shifër është rritur në afërsisht 1,85 milionë dollarë në pesë muajt e parë të vitit 2021.