Vendosni fjalën kyçe....

Tritol me dron biznesit të Lefter Kokës në Durrës


Biznesi në Durrës ku ndodhi një shpërthim me dron dy ditë më parë, ishte i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

“Report TV” raporton se objektiv i sulmit ishte kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti” në lagjen numër 14 në Durrës, në të cilën aksioner është edhe Lefter Koka.

Sipas gazetarit Arsen Rusta, autorët e dyshuar kanë përdorur një dron të mbushur me ekskplozivë, i cili ka shpërthyer duke u lëshuar nga droni mbi tarracën e godinës 3-katëshe të biznesit.

Për fat të mirë nga ky incident nuk ka patur njerëz të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 44-vjeçarin Gentjan Meta. Këtij të fundit sipas uniformave blu, iu gjet pulti i dronit me të cilin hodhi tritolin në kantinën e pijeve.

Ky është sulmi i dytë që bëhet ndaj bizneseve të Lefter Kokës, pasi edhe një ditë para zgjedhjeve është qëlluar me armë zjarri pranë ambienteve të një tjetër biznesi të tij.

Njoftimi i Policisë mbi ngjarjen:

Vendosi lëndë eksplozive në një objekt biznesi, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë nga Policia.

Vihet në pranga edhe menaxheri i lokalit në pronësi të autorit të dyshuar, pasi nga kontrolli në mjetin e tij Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Në vijimësi të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë dhe shtetasi B. Z., 34 vjeç, banues në Shetaj, Durrës, menaxher i lokalit në pronësi të shtetasit G. M., pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një karikator me 7 fishekë luftarakë.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe vëllai i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në Shijak iu gjet një sasi vere me logon e një subjekti tjetër, veprime këto që bien ndesh me vendimin e gjykatës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit G. M., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”; në ngarkim të shtetasit B. Z., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit “dhe në ngarkim të shtetasit A. M. për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *