Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona të cilët kishin ndërtuar në bregdet pa lejen përkatëse, në vijim të kontrolleve për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe zënien e hapësirës publike.
Sikurse bëjnë me dije uniformat blu, është arrestuar një 32 vjeçar me inicialet M.P, i cili rezulton i dënuar më parë në fushën e narkotikëve. Në vendin e quajtur “Plazhi Sektor Rinia”, ai kishte ndërtuar një lokal, pa lejen e organeve kompetente.
Personi tjetër ishte një 35 vjeçar me inicialet A.P, i cili në lagjen nr. 15, Porto Romano, kishte ndërtuar me dërrasa një objekt si dhe kishte zënë me shezlongë një sipërfaqe të plazhit publik, përsëri pa leje.
DETAJET E POLICISË
Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe zënien e hapësirës publike.
Vihen në pranga dy shtetas, për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Pushtim toke”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre shtetasve që ndërtojnë pa leje apo zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme, arrestuan në flagrancë shtetasit:
- P. M., 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë në fushën e narkotikëve. Ky shtetas në vendin e quajtur “Plazhi Sektor Rinia”, Durrës, në bregdet ka ndërtuar një objekt (lokal), pa lejen e organeve komentete, me qëllim përfitimi.
- A. P., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 15, Porto Romano, kishte ndërtuar me dërrasa një objekt si dhe kishte zënë me shezlongë një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Durrësit është e vendosur në parandalimin e krimeve mjedisore dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të mos kryejnë asnjë ndërtim ose veprim pa lejen e organeve kompetente. Gjithashtu fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin.