Vendosni fjalën kyçe....

“Do të bojkotojmë provimin me zgjedhje”- Maturantët protestojnë para Ministrisë së Arsimit


 

Pas zhgënjimit që pësuan në provimin e djeshëm të Matematikës, një numër i madh maturantësh janë grumbulluar sot përpara Ministrisë së Arsimit duke bllokuar edhe rrugën.

“Duam Drejtësi!”- brohorasin ata në kor.

Ata kanë rezerva ndaj provimit të matematikës në veçanti, pasi sipas tyre ishin pyetje të nivelit universitar dhe jashtë programit që iu ishte prezantuar më parë.

“Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, me shumë gjasa do të bojkotojmë provimin e radhës”- shprehet një prej protestuesve.

Në një nga pankartat e maturantëve lexohet: “Në kohë pandemie dhe mësimi online, po na kërkoni të bëhemi Einstein”.

Jo vetëm në Tiranë, maturantët janë ngritur në protestë edhe në Durrës, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në pankartat që mbajnë në duar, maturantët kujtojnë edhe dilemat e vitit të kaluar në provimin e Letërsisë me Turin.

“Ne kemi dy vite online duke marrë parasysh dhe kushtet në të cilat ne kemi mësuar, kanë qenë tepër të vështira. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj, sepse nga këto provime varet e ardhmja jonë që me 3 vite punë na u shemb për 2 orë e gjysmë.”– është shprehur një nga maturantët.

Ata ankohen se provimi i matematikës, kishte pyetje nga tema të cilat nuk i kishin zhvilluar fare ose mjaftueshëm dhe se ishin kopjuar keq nga Cambridge.

Pas protestës, reagoi ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila tha se po vlerësohet niveli i vështirësisë së çdo pyetjeje në test dhe në rast se rezulton mbi nivelin e parashikuar, do rishikohet shpërndarja e pikëve në test dhe mënyra e vlerësimit.

 “Të dashur maturantë,

Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.

Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!”- shkroi ministrja.

Por maturantët nuk u dukën shumë të bindur nga reagimi i ministres. “Do të vazhdojmë derisa të bindemi që ajo nuk po tallet, derisa ne të bindemi se nuk i ka thjesht fjalë të shkruara në Facebook”- tha një maturant për “News 24”. Një tjetër shtoi se ky reagim i ministres “Nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të ndalur protestën”.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *