Vendosni fjalën kyçe....

Maturantët pas përgjigjes së ministres Kushi: Protesta vazhdon derisa të bindemi se s’po tallet me ne


Maturantët duken përsëri të irrituar pavarësisht reagimit të Ministres së Arsimit Evis Kushi, e cila tha se pyetjet e testit të Matematikës po rivlerësohen dhe nëse do të tejkalojnë nivelin e vështirësisë atëhere do të rishikohet vlerësimi.

Maturantët shprehen se do ta vijojnë protestën derisa të binden se ministrja nuk po tallet me ta.

“Do të vazhdojmë derisa të bindemi që ajo nuk po tallet, derisa ne të bindemi se nuk i ka thjesht fjalë të shkruara në Facebook”- tha një maturant për “News 24”.

Një tjetër shtoi se ky reagim i ministres “Nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të ndalur protestën”.

Një vajzë kujtoi edhe protestat e vitit të kaluar për provimin e LEtërsisë, duke thënë se “Vjet i mashtruan, nuk do i lejojmë të na mashtrojnë përsëri”.

Në komentin e saj, pak më herët ministrja Kushi tha se po vlerësohet niveli i vështirësisë së çdo pyetjeje në test dhe në rast se rezulton mbi nivelin e parashikuar, do rishikohet shpërndarja e pikëve në test dhe mënyra e vlerësimit.

 “Të dashur maturantë,

Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.

Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!”- shkroi ministrja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *