Dhjetëra maturantë kanë dalë për të dytën ditën në protestë pas provimit të Matematikës të cilin e cilësuan si të vështirë.
Ata u mblodhën sërish përpara Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të kërkuar rishikimin e provimit dhe tavanin e pikëve të tij.
“Reagimin e ministrisë nuk e pranojmë. Duam të ulet tavani i pikëve se shumë nxënës të mirë kanë dalë shumë keq. Koha nuk ishte e mjaftueshme, pyetjet ishin përkthyer skandal. Ne duam të marrim notat, që të kapim pikët për të shkuar në universitetet shtetërore”, tha një nga maturantet.
Më pas maturantët u zhvendosën për protestë përpara Qendrës së Shërbimeve Arsimore ku kërkuan të njëjtën gjë si institucioni që përgatit tezat e provimeve.