Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Nishani, e ka quajtur maskaradë elektorale votimin e sotëm për kreun e ri të selisë blu.
Ish-presidenti demokrat tha për mediat se gara ka qenë e pabarabartë ndërsa theksoi se është edhe përgjegjësia e tij që PD-ja është katandisur në këtë gjendje.
“Nëse me 25 prill kemi pasur masakër elektorale të regjimit të Edi Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale. Më vjen keq ta them sepse edhe unë jam përgjegjës i kësaj situatë, si mijëra demokratë që kemi lejuar që projekti i regjimit të PD të fitojë terren pak nga pak.” – tha Nishani.
Ai shtoi se dita e sotme ishte tejet e rëndësishme për të treguar se PD-ja jo vetëm mund ta përballojë regjimin e bandave po edhe për të sjellë një model ndryshe.
Sipas Nishanit, kjo gjë nuk është treguar sot. Në fund të deklaratës, zyrtari i lartë demokrat tha se ata që kanë marrë përsipër shkatërrimin e PD-së, i kanë hyrë një rruge të pamudur.
“Partia Demokratike duhet të shihet si shpresa e shqiptarëve. Ndaj edhe kjo ditë sot ishte shumë e rëndësishme. Por edhe për vetë demokratët për të treguar në sytë e opinionit publik që ky mekanizëm i vetëm është i fortë që jo vetëm ta përballojë regjimin e bandave, por edhe të sjellë një model ndryshe me marrjen e pushtetit prej saj. Për fat të keq, sot jo vetëm që nuk u realizua por dëshmoi të kundërtën. Sot kam një mesazh për të gjithë bashkëpunëtorët e mi, për bashkëthemeluesit e PD, për rininë e cila duhet të jetë në vijën e parë dhe t’u them se të gjithë ata që kanë marrë përsipër shkatërrimin e PD-së, kanë marrë përsipër një mision të pamundur. Partia Demokratike është ringritur nga hiri. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë parti dhe ta bëjnë një forcë pa energji.” – shtoi Nishani.