Mjekët kanë konfirmuar se Christian Eriksen i Danimarkës pësoi një arrest kardiak kur ai u rrëzua gjatë ndeshjes kundër Finlandës ditën e shtunë.
Mjeku i tij Morten Boesen doli të dielën në një konferencë për shtyp ku tha se ai kishte pësuar një arrest kardiak.
“Ai kishte ikur; ne bëmë reanimacion kardiak, ishte një arrest kardiak. Ne e sollëm atë përsëri pas një defibrilimi.”- tha mjeku duke shtuar se Eriksen mbetet në spital për analiza të mëtejshme, citon Reuters.
Megjithatë Boesen shprehet se ende nuk e kanë idenë se përse ndodhi arresti kardiak. “Testet që janë bërë deri tani duken mire. Ne nuk kemi një shpjegim pse ndodhi.”
Futbollisti 29 vjeçar u rrëzua papritur në minutën e 42-të të ndeshjes ndërsa vraponte pranë vijës së majtë pas një goditje për Danimarkën. Shokët e tij të ekipit u mblodhën rreth tij ndërsa ai kurohej në fushë dhe më pas u mor me një barelë.
Më vonë pasi është ndier mirë Eriksen ka komunikuar në një video online me shokët e skuadrës.
Trajneri Kasper Hjulmand tha që Eriksen i kishte thënë atij se nuk mbante mend shumë nga rrëzimi i së shtunës dhe se ishte i etur të kthehej në fushë.
“Ai do të dëshironte që ne të luanim më tej.”- tha Hjulmand. “Ai tha se ndihet sikur mund të dilte dhe të luante përsëri. Christian ndihet më mirë kur ka një top futbolli afër këmbëve të tij.”
Trajneri theksoi se Eriksen është në humor të mirë dhe se kjo është një lehtësim i madh për lojtarët pas gjithë kësaj “pasigurie”.