Vendosni fjalën kyçe....

Dritan Leli letër Këshillit Bashkiak: Po shkelni ligjin, mbledhja të zhvillohet online e jo tek Teatri


Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i është drejtuar sot me një letër Këshillit Bashkiak, i cili do të zhvillojë sot një mbledhje jashtë radhe, që pritet të nisë në orën 10:00.

Këshilli bashkiak kishte kërkuar që mbledhja të bëhej në Teatrin e qytetit, por për kryebashkiakun Leli kjo është e pamundur për shkak të rregullave anticovid.

Ai ka bërë një postim pak minuta më parë, ku shkruan se është vendosur që mbledhja të bëhet online përmes platformës “zoom”.

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit.”- shkruan Leli, i cili e shoqëron postimin me një letër që i ka drejtuar këshillit.

Këshilli Bashkiak i Vlorës kishte thirrur një mbledhje jashtë radhe sot për t’i kërkuar llogari kryebashkiakut në lidhje me shqetësimin e komunitetit për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Kjo mbledhje është iniciuar pas përplasjes së kryetarit të bashkisë dhe drejtuesve të PS-së pasi nuk pranoi të japë dorëheqjen nga posti dhe refuzoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Por Leli  ka kundërshtuar të marrë pjesë në mbledhjen e organizuar tek Teatri i qytetit, duke u kujtuar anëtarëve të Këshillit përmes një letre se rrezikojnë gjobën 5 milionë lekë nëse shkelin rregullat: “Me veprimet e mësipërme, ju si organizatorë të kësaj mbledhje, jeni duke shkelur ligjin 15/2016 ‘Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive’, ku jemi të detyruar të sjellim në vëmendjen tuaj se bazuar në nenin 3 pika 2 të aktit normativ nr.3/2020, subjektet apo individët që organizojnë ndër të tjera dëgjesa publike dënohen me gjobë në masën 5.000.000 lekë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *