Gazetarja, moderatorja dhe shefja ndërkombëtare e CNN-it Christiane Amanpour ka njoftuar se ajo është diagnostikuar me kancer të vezoreve.
63-vjeçarja u tha shikuesve se kishte kryer “një operacion të madh të suksesshëm për ta hequr atë” dhe tani do t’i nënshtrohet disa muaj kimioterapisë.
Gazetarja veterane e bëri njoftimin nga studioja e saj në Londër pas katër javësh që mungonte në transmetim.
Amanpour ka kaluar dekada duke raportuar në të gjithë globin, duke mbuluar një gamë të gjerë konfliktesh dhe krizash.
Në njoftimin e bërë të hënën, ajo tha se po e ndante lajmin për të theksuar rëndësinë e “diagnozës së hershme”. Ajo vuri në dukje se ka miliona njerëz në të gjithë botën me kancer të vezoreve dhe Amanpour u kërkoi grave të edukonin veten e tyre mbi sëmundjen, të bënin kontrolle të rregullta dhe të sigurohen se shqetësimet e tyre të mos nënvlerësohen.
Some personal news from me: pic.twitter.com/D5noRnfXfA
— Christiane Amanpour (@camanpour) June 14, 2021
Kanceri i vezoreve është i vështirë për t’u diagnostikuar sepse simptomat – si një stomak i fryrë, fryrje ose dhimbje – ngatërrohen lehtë për probleme shëndetësore më pak serioze.
Sipas Fondit Botëror të Kërkimit të Kancerit, ky është kanceri i shtatë më i zakonshëm tek gratë në të gjithë botën. Kanceri i vezoreve është zakonisht fatal dhe është shkaku i tetë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri tek gratë në të gjithë globin.
Gazetarja planifikon të vijojë të drejtojë programin e saj në CNN nga e hëna deri të mërkurën çdo javë ndërkohë që përballet me trajtime kimioterapie. Ajo gjithashtu ka tre javë pushim të planifikuara më parë. Amanpour është Shefja Ndërkombëtare për CNN dhe drejtuese e një programi në mbrëmje me intervista.