Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak, Tahiraj: Mënyrën si zhvillohet mbledhja e përcaktojmë ne, jo kryetari


Sikurse njoftoi më herët kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, ai e bojkotoi mbledhjen e thirrur sot nga këshilltarët bashkiakë në Teatrin “Petro Marko”.

Leli e anuloi mbledhjen duke kujtuar se kështu shkelen masat anti-COVID, ndaj theksoi se mbledhja duhet zhvilluar online përmes “Zoom”-it.

Para nisjes së mbledhjes në “Zoom”, anëtari i Këshillit bashkiak dhe deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste në Vlorë, Anduel Tahiraj reagoi ashpër pas vendimit të Lelit.

Tahiraj tha se ata si këshilltarë bashkiakë i kanë ndjekur me përpikmëri udhëzimet e ministrisë së Shëndetësisë dhe se mënyra sesi zhvillohet mbledhja e përcakton këshilli bashkiak dhe jo kryetari.

 “Në datën 1 qershor rreth 45 këshilltarë kërkuan një mbledhje jashtë radhës me teme komunikim me kryetarin e bashkisë për sa u përket problematikave në qytet. Kryetari i bashkisë refuzoi të paraqitej në këtë mbledhje me pretendimin e respektimit të masave anti-COVID, por kur është një pretendim qesharak pasi i njëjti kryetra pak ditë më parë dha leje për forca të tjera politike që të zhvillojnë mbledhje në këtë sallë. Ne si këshilltar kemi ndjekur me përpikmëri udhëzimet e ministrisë së Shëndetësisë dhe sot hyn në fuqi mbledhja e 50 vetave në zbatimin e protokollit.

Ne i kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme duke i dhënë mundësinë që të reflektojnë në të mirë të qyteti gjë që nuk ka ndodhur ndaj edhe sot jemi në këtë ballafaqim. Ne si organ i zgjedhur i përfaqësueve të Vlorës kemi përgjegjësinë morale dhe institucionale të mbështesim qytetarët e Vlorës në lidhje me shqetësimet e tyre. Kryetari i bashkisë së Vlorës ka humbur mbështetjen e PS-së edhe besimin e qytetarëve të Vlorës. Kjo na ka bërë që ne të marrim në dorë fatet e qytetit.

Po dhunon lirinë e fjalisë dhe mundësitë që të jep demokracia. Ky është një ballafaqim publik. Rëndësia e mbledhjes ishte e papërshtatshme që të zhvillohej online. Mënyra sesi do të zhvillohet mbledhja e përcakton këshilli bashkiak dhe jo kryetari.”- tha Tahiraj.

Kjo mbledhje është iniciuar pas përplasjes së kryetarit të bashkisë dhe drejtuesve të PS-së pasi nuk pranoi të japë dorëheqjen nga posti dhe refuzoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Këshilli Bashkiak i Vlorës e kishte thirrur mbledhjen jashtë radhe sot për t’i kërkuar llogari kryebashkiakut në lidhje me shqetësimin e komunitetit për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *