Anëtarët e një bordi shkollor në New Jersey mund të kenë menduar se po i jepnin fund një polemike rreth riemërtimit të pushimeve duke hequr të gjithë emrat e festave fetare apo atyre jofetare nga kalendari zyrtar i rrethit. Në vend të kësaj, prindërit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e bordit.
Peticioni Change.org, i cili filloi kundër anëtarëve të Bordit të Edukimit Randolph, përmbushi qëllimin e tij fillestar prej 1.000 nënshkrimesh brenda 24 orëve nga nisja e tij.
Banori i qytetit, Thomas Tatem, tha se duke zëvendësuar të gjithë emrat e festave në kalendarin e shkollës me fjalët ‘ditë pushimi’, anëtarët e bordit ‘turpëruan komunitetin dhe qartësisht nuk interesohen mbi interesat e fëmijëve’.
Politika e re shkollore, e cila u miratua unanimisht nga bordi, nënkuptonte që çdo festë – nga Krishtlindjet, Bajramet apo festa hebreje Yom Kippur – do të shfaqet në kalendar si ‘ditë pushimi’.
Polemikat burojnë nga një vendim i bordit muajin e kaluar për të riemërtuar Ditën e Columbus ‘Dita e Popullit Vendas’.
Christopher Columbus, eksploruesi italian i shekullit të 15-të, i vlerësuar për zbulimin e Amerikave, është një nga shumë figurat historike trashëgimia e të cilit është sulmuar vitet e fundit për shkak të sjelljes ose pikëpamjeve që duken të pakëndshme sipas standardeve të sotme të korrektësisë politike.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani