Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të BE-së për të hequr kufizimet e pandemisë së Covid-19 për udhëtarët nga disa vende, ku përfshihej edhe Shqipëria.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se Shqipëria ja doli edhe kësaj sfide.
“LAJMI QE PRISNI! Bashkimi Europian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore jashtë BE, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse NE, SHQIPËRIA, NUK NDALEMI MË në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë.”- shkruan Rama.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit shkruan se ky vendim, është një ogur i mirë që shpejt po shkojmë drejt një normaliteti që të gjithë dëshirojmë.
“Lajm i mirë
Dakordësia e vendeve të Bashkimit Europian për të hequr kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë është padyshim një lajm i mirë
Një lajm i shumëpritur për të gjithë shqiptarët por edhe një shenjë e mirë se po shkojmë drejt normalitetit që të gjithë dëshirojmë
Por sërish një apel për të gjithë qytetarët: Të mos e ulim vigjilencën, në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i gjatë i pandemisë.”- shkruan Manastirliu.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord këtë të mërkurë që të heqin kufizimet e udhëtimit për turistët nga tetë vende dhe territore, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Ambasadorët nga 27 vendet e BE-së miratuan udhëtimet me SHBA-në dhe pesë vende të tjera: Shqipëria, Libani, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Tajvani. Po ashtu do të përfshihen edhe rajonet e administruara nga Kina si Hong Kongu dhe Makau.