Vendosni fjalën kyçe....

Karta e Madhe 806-vjeçare


Nga Aurel Plasari

Dje, më 15 qershor, portalet e botës së lirë dhe demokratike – me gjasë me përjashtim të portaleve të Shqipërisë – i uronin datëlindjen një dokumenti themelor të historisë së qytetërimit: të njohurës si MAGNA CHARTA LIBERTATUM e cila mbushte 806 vjet.

Karta e Madhe e Lirive është dokumenti i shkruar me dorë mbi të cilin, më 15 qershor të vitit 1215, mbreti i Anglisë John pranoi, më në fund, të vinte vulën e vet të miratimit.

Mbahet si i pari dokument që njohu të drejta dhe liri mbi të cilat janë themeluar demokracitë e sotme duke qenë në zanafillën e një numri idesh thelbësore që e ngritën më këmbë dhe e zhvilluan Anglinë:

– qeverisje me ligj (sundimi i ligjit);

– lidhje midis taksës dhe përfaqësimit në Parlament (pa taksim – pa përfaqësim);

– garantim i lirive për të gjithë njerëzit (për shembull që të mos burgosen pa një proces të rregullt gjyqësor);

– përpjesshmëri (proporcionalitet) i ndëshkimit në raport me krimin e kryer;

– e drejtë e rezistencës legjitime për të kufizuar absolutizmin e pushtetit.

-Etj.

Politikani anglez Sir Edward Coke (1552-1634), më i madhi jurist i epokave elizabetiane dhe xhejkobeane, i njohur edhe si përgatitës i Rezolutave që çuan më vonë në Aktin e rëndësishëm juridik “Habeas Corpus” (1679), deklaroi gjysmë me humor: “Magna Charta is such a fellow, that he will have no sovereign”. Vetëm në anglisht mund të formulohej kaq bukur.

Dokumenti origjinal, i hartuar në latinishte sintetike mesjetare, ruhet ende në gjendje të mirë në vetëm katër kopje ndër një numër të tillash që qenë prodhuar: dy në Bibliotekën Britanike të Londrës, një në kështjellën Lincoln dhe një në katedralen e Salisburyt.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *