Maqedonia e Veriut po përballet me mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa autoritetet shëndetësore po i shfrytëzojnë dozat e fundit për rivaksinimin e personave, të cilët kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani është vaksinuar 10 për qind e popullatës.
Mbi 195 mijë persona kanë marrë nga dy doza, ndërsa në bazë ditore rivaksinohen jo më shumë se pesë mijë persona.
Javë më parë, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se në javën e parë të qershorit do të mbërrijnë 500 mijë vaksina kineze Sinovak, por ato nuk kanë arritur ende.
“Dje jam njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kinës që në shtatë ditët e ardhshme duhet të marrim 500,000 doza të Sinovakut”, ka deklaruar Filipçe më 4 qershor, raporton REL.
Së fundmi, Maqedonia e Veriut ka pranuar rreth 30 mijë vaksina kineze si donacion nga Turqia dhe disa mijëra të tjera nga Greqia, të cilat po përdoren për rivaksinim të qytetarëve.