Sot mbahet seanca e tretë e gjyqit për çështjen e Teatrit Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se në seancën e djeshme, gjykata pranoi kërkesën e Presidencës për zgjerimin e objektit të hetimit për prishjen e teatrit.
Po ashtu, në këtë seancë trupa gjykuese i tërhoqi vëmendjen qeverisë por edhe Presidencës që të respektojë afatet e lëna në dispozicion për dërgimin e dokumenteve.
“I dhamë kohë qeverisë për të sjellë dokumente. Nuk i sollën në afatet e përcaktuara nga Gjykata. Edhe Presidencës ia kemi përcjellë jashtë afatit. Tërheqim vëmendjen e të gjithëve për mosrespektimin e afateve.”- thanë gjykatësit.
Nga ana e tij këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, tha se nuk janë administruar të gjitha provat që ka kërkuar Presidenti i Republikës: “Rezulton se nuk janë administruar të gjitha provat që kërkoi Presidenti i Republikës.”
Dervishaj kërkoi shpalljen si antikushtetues vendimin për prishjen e teatrit si dhe pezullimin e veprimeve të mëtejshme për të ndërtuar godinën e re.
Seanca e sotme do të nisë në orën 10:00. Godina e Teatrit Kombëtar u shemb më datë 17 maj të vitit 2020, pak orë para se të zbardhte dita. Në ato momente aktivistët për mbrojtjen e tij ishin në ambientet e teatrit.