Ambasada Gjermane ka reaguar lidhur me dhunimin e një transgjinoreje në Tiranë, pas denoncimit nga Aleanca LGBT.
Në një njoftim për mediet, Ambasada thotë se janë tronditur nga incidenti dhe kërkojnë zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes nga policia.
“Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTIQ mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë.
Ne si Ambasadë Gjermane kundërshtojmë me vendosmëri çdo forme të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit.”- thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.
Bëhet fjalë për dhunimin e një 21-vjeçareje transgjinore të dhunuar fizikisht dhe verbalisht në rrugët e Tiranës për shkak të identitetit të saj seksual. Ngjarja është denoncuar një ditë më parë nga Aleanca LGBT, që ka publikuar edhe disa foto që dëshmojnë dhunën ndaj 21-vjeçares.
Sipas LGBT-së, dhunuesit janë 10 djem në Tiranë.