Vendosni fjalën kyçe....

Kalojnë shpronësime për pesë projekte, vendimet nga Bovilla te rruga me PPP e Porti i Jahteve-Orikum


Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit shpronësime për pesë projekte, ku për llogari të autoriteteve të ndryshme publike janë caktuar listat me përfituesit dhe shumat takuese që do të shpërndahen.

Por cilët janë në fakt projektet? Disa prej tyre janë zbatuar dhe shpronësimi vjen në mënyrë ciklike duke ndjekur procedurat kurse disa të tjerë janë ende në fazat e para të zbatimit.

Vendimi i parë i takon shpronësimit për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Itinerare këmbësorësh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit Artificial”, Tiranë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, , me vlerë 124 169 229 (njëqind e njëzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e nëntë) lekë.

Vendimi i dytë i takon shpronësimit për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Shtesë e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1 800 l/sek, në fazën e dytë të zbatimit me 1 200 l/sek”.

Pronarët të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 11 056 007.60 (njëmbëdhjetë milionë e pesëdhjetë e gjashtë mijë e shtatë pikë gjashtëdhjetë) lekësh.

Vendimi i tretë i takon shpronësimit për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i objektit “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të autostradës “Milot – Morinë””.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 440 031 (një milion e katërqind e dyzet mijë e tridhjetë e një) lekësh.

Vendimi katërt është shpronësimi, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i rrugës “Allamani”, Fushë-Krujë”.

Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, për pasurinë e llojit tokë “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 918 241 (nëntëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e një) lekësh.

Vendimi i fundit i takon shpronësimit, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve – By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 858 048 (tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyzet e tetë) lekësh.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *