Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi në kuadër të Procesit të Berlinit shfrytëzoi rastin për të diskutuar mbi njohjen e “pasaportës së vaksinimit”.
Manastirliu deklaroi se njohja e certifikatës elektronike të vaksinimit nëpërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është e rëndësishme dhe ndihmon qytetarët të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë.
“Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjellta dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”, -tha Manastirliu.