Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet diamanti i tretë më i madh në botë në Botsvana


Një diamant i cili besohet të jetë i treti më i madh i gjetur ndonjëherë në gjithë botën, është zbuluar në Botsvana.

Guri me peshë 1,098 karat iu tregua Presidentit Mokgweetsi Masisi, dy javë pasi u zbulua nga firma e diamantëve, Debswana.

Siç shkruan BBC, ky gur është vetëm pak më i lehtë se diamanti i dytë më i madh në botë, i cili gjithashtu u gjet në Botsvana në vitin 2015. Botsvana është prodhuesi më i madh i diamanteve në Afrikë.

“Ky është diamanti më i madh për t’u rikuperuar nga Debswana në historinë e saj prej mbi 50 vjetësh në punë.”- tha Lynette Armstrong, drejtoresha e përkohshme e kompanisë Debswana Diamond.“Nga analiza jonë paraprake mund të jetë guri i tretë më i madh në botë me cilësi të rrallë.”

Debswana është një ndërmarrje e përbashkët midis qeverisë dhe gjigandit global të diamantëve De Beers dhe deri në 80% të të ardhurave nga shitjet shkojnë në arkat e shtetit përmes dividentëve, honorareve dhe taksave.

Një vlerësim i kostos së mundshme të gurit nuk është bërë me dije ende, por në vitin 2017, diamanti i dytë më i madh i gjetur ndonjëherë, Lesedi La Rona, u shit për 53 milionë dollarë.

Diamanti më i madh i zbuluar ndonjëherë është diamanti Cullinan prej 3,106 karatësh i gjetur në Afrikën e Jugut në vitin 1905. Ministri i Mineraleve të Botsvanës, Lefoko Moagi, tha se zbulimi i fundit nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për Botsvanën, pasi pandemia shkaktoi rënien e shitjeve të diamantëve vitin e kaluar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *