Policia në Dibër ka bllokuar dy punishte që prodhonin jufka në kuadër të luftës kundër informalitetit, ndërsa u proceduan edhe pronarët e tyre.
Ata janë Maliq Pana dhe Musa Kurti. Procedimi i dy personave ka ardhur për shkak se në këto dy punishte punohej në kushte të papërshtatshme.
Uniformat blu thonë se dy punishtet janë konstatuar duke prodhuar produkte ushqimore në kushte të pa përshtatshme higjienike në kundërshtim me ligjin ‘Për Ushqimin’, dhe aktivitetin e ushtronin pa qenë të regjistruar pranë organeve tatimore.
NJOFTIMI I POLICISË
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, filloi procedimi penal për shtetasit M. K., 55 vjeç, banues në Shupenze dhe M. P., 65 vjeç, banues në Peshkopi.
Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar Ushqimor, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në disa punishte që dyshoheshin se përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme për prodhimin e ushqimit për konsum.
Si rezultat në Shupenzë është bllokuar punishtja e shtetasit M. K., dhe në qytetin e Peshkopisë është bllokuar punishtja e shtetasit M. P., pasi janë konstatuar duke prodhuar produkte ushqimore në kushte të pa përshtatshme higjenike në kundërshtim me ligjin ‘Për Ushqimin’, dhe aktivitetin e ushtronin pa qenë të regjistruar pranë organeve tatimore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”.