Policia e Durrësit ka përditësuar informacionin e djeshëm mbi kapjen e një sasie të konsiderueshme kokaine e cila do kalonte Portin e Durrësit në drejtim të Italisë.
Sipas policisë droga e kapur është në sasinë e 324 kg e 400 gramë dhe jo 300 kg sa u njoftua ditën e djeshme.
Droga u gjet në një kamion i cili vinte nga Maqedonia e Veriut me destinacion Napolin.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, ku nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritet doganore të Portit, u sekuestrua një sasi e madhe lëndë narkotike kokainë, ju informojmë se:
Në vijim të punës së kryer nga grupi hetimor, pas përfundimit të peshimit të pakove me kokainë, rezultoi se pesha totale është 324 kilogramë e 400 gramë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën hetimore në bashkëpunim dhe me autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut për zbardhjen, dokumentimin, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.