Vendosni fjalën kyçe....

“E gjeta gjysmë të zhveshur dhe të deformuar në fytyrë, e kishte përdhunuar 7 herë”- rrëfimi i gruas që e ndihmoi e para pastruesen shqiptare të abuzuar në Greqi


Detaje të rënda kanë dalë në dritë, lidhur me rastin e gruas shqiptare të përdhunuar dhe rrahur në një apartament në Petralona në Athinë, në pallatin ku punonte si pastruese.

Një banore e pallatit, ka treguar se ajo ka qenë e para që e ka gjetur gruan shqiptare, gjysmë të zhveshur dhe të dhunuar.

“Unë jam e para që e pashë gruan. Unë e gjeta atë gjysmë të zhveshur dhe me fytyrën të deformuar nga rrahjet dhe ajo ishte në gjendje të rëndë psikologjike.”- tha gruaja që e dëgjoi e para 50-vjeçaren shqiptare të thërriste për ndihmë dhe që përpiqej të dilte nga banesa.

Ajo tregon se pastruesja vetë ia zbuloi asaj se ishte përdhunuar dhe rrahur shtatë herë, gjatë nëntë orëve që ishte mbajtur peng nga abuzuesi i saj.

“Gruaja arriti të dilte nga ballkoni dhe të largohej nga banesa. Ai ishte brenda dhe po ulërinte.”-shtoi banorja e Pallatit. “Policia ishte vonë. Ata erdhën shumë vonë. Policia erdhi në 22:00 të mbrëmjes.”

Sipas saj, 35-vjeçari “e rrihte nënën e tij gjatë gjithë kohës”, e cila gjithashtu është një pastruese.

Vetëm për faktin që i kishte ardhur në ndihmë shqiptares, kjo zonjë ka frikë tanimë për veten dhe familjen e saj.

Siç shkruan gazeta Protothema, ajo ka deklaruar se kur 35-vjeçari e kuptoi se ishte ajo që kishte nxituar për të ndihmuar viktimën e tij, ai e ka kërcënuar.

“Ai po më kërcënonte mua dhe vajzën time. Ai tha se do të na mbyste. Kemi frikë. Jemi në shtëpi me grila të ulura. Policia na tha që të mos i hapim grilat, as të hapim derën kur bie zilja.”- tregoi gruaja që ndihmoi për herë të parë 50-vjeçaren në Petralona.

Ndërkohë policia thotë se e ka identifikuar personin i cili dyshohet se përdhunoi dhe rrahu pastruesen shqiptare në Petralona. Ai u arratis menjëherë sapo shqiptarja arriti të dilte në ballkon dhe të kërkonte ndihmë, pasi kuptoi se kalimtarët nisën të telefonin policinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *