Prokuroria e Shtetit në Rusi e ndaloi organizatën joqeveritare të SHBA-së “Bard College”, pasi e etiketoi si “të padëshirueshme”.
Zyra e Prokurorit tha të hënën se veprimtaria e OJQ-së arsimore “paraqet kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë e Federatës Ruse”.
Bard nuk ka komentuar ende.
Ligji për “organizatat e padëshirueshme” në Rusi është miratuar në maj të vitit 2015.
Ai është pjesë e disa rregullimeve të nxitura nga Kremlini dhe ka në shënjestër shumë organizata jofitimprurëse dhe joqeveritare, që marrin fonde nga burime të huaja – kryesisht nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.
Ministria e Jashtme ruse ka paralajmëruar qysh në muajin prill se do të ndalojë aktivitetet në Rusi të OJQ-ve amerikane, të cilat, sipas saj, ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit.
Ndalimi është paralajmëruar si masë hakmarrëse ndaj sanksioneve që Qeveria amerikane i ka vendosur Rusisë.
Këtë muaj, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus ka miratuar edhe një projekt-ligj që e zgjeron Ligjin për “organizatat e padëshirueshme”.
Sipas masës së miratuar më 16 qershor, individët mund të përballen me gjashtë vjet burgim, nëse shpallen fajtorë për organizimin e operacioneve të organizatave “të padëshirueshme” ndërkombëtare në territorin rus.